Një projekt-raport i Këshillit të Europës për qeverisjen vendore në Shqipëri vlerëson se bashkitë kanë autonomi të kufizuar, janë të nënfinancuara dhe se shërbimet publike janë centralizuar më shumë se sa parashikon Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Vendore.
Dokumenti rekomandon që çdo reformë e re territoriale të mos fokusohet te zvogëlimi i numrit të bashkive, por te forcimi i kompetencave, kapaciteteve administrative dhe burimeve financiare të pushtetit vendor.
Sipas raportuesve Anders Knape dhe Sören Schumacher, çdo ndryshim i hartës administrative duhet të bazohet në konsultime reale me pushtetin vendor dhe komunitetet lokale, pas një vlerësimi të plotë të reformës territoriale të vitit 2014.
Raporti thekson se problemet e qeverisjes vendore nuk lidhen vetëm me madhësinë e bashkive, por edhe me centralizimin e kompetencave, financimin e pamjaftueshëm dhe mungesën e burimeve administrative.
“Përgjigjja nuk është centralizimi, por forcimi i kapaciteteve administrative dhe financiare të pushtetit vendor”, thuhet në dokument.
Sipas raportit, shumica e bashkive, me përjashtim të qyteteve më të mëdha, mbeten seriozisht të nënfinancuara dhe nuk kanë burime të mjaftueshme për të përmbushur detyrimet ligjore. Për këtë arsye rekomandohet rishikimi i mënyrës së shpërndarjes së granteve të pakushtëzuara dhe krijimi i një sistemi më transparent, të bazuar në kritere objektive.
Raporti ngre shqetësime edhe për autonominë e kufizuar të bashkive në fusha si arsimi, menaxhimi i mbetjeve dhe mbledhja e taksave vendore, ndërsa evidenton se mungesa e regjistrave të saktë të pronave vazhdon të pengojë administrimin efektiv të taksës së pronës.
Dokumenti identifikon gjithashtu korrupsionin, polarizimin politik dhe shpopullimin e zonave rurale si sfida të rëndësishme për pushtetin vendor.
Projekt-raporti pritet të shqyrtohet në muajin tetor në Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, ku do të vlerësohet respektimi nga Shqipëria i standardeve të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore.





