Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Rethimno të Kretës, ku ka humbur jetën Roland Sala, 33 vjeç, me origjinë nga Peshkopia.
I riu jetonte në Angli dhe kishte udhëtuar drejt ishullit grek për të kaluar pushimet pranë familjarëve. Gjatë kohës që po lahej në det, ai u përfshi nga dallgët dhe pësoi asfiksi.
Pas ngjarjes, 33-vjeçari u transportua me urgjencë në Spitalin e Rethimnos, ku qëndroi për rreth dy javë nën kujdesin e mjekëve, duke luftuar për jetën. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, ai ndërroi jetë.
Sipas njoftimit të Komunitetit Shqiptar në Rethimno, trupi i pajetë i Roland Salës do të niset drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohen ceremonitë mortore dhe do të prehet në vendlindje.
Lajmi ka prekur familjarët, miqtë dhe bashkatdhetarët në Kretë, të cilët janë organizuar për t'i dhënë lamtumirën e fundit në shenjë respekti dhe solidariteti.
Në mesazhin e ngushëllimit, Komuniteti Shqiptar në Rethimno shprehet: "Komuniteti Shqiptar në Rethimno i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve për këtë humbje të rëndë. Lamtumirë, Roland Sala! Kujtimi yt do të mbetet i paharruar në zemrat e të gjithë atyre që të njohën."





