Zjarret masive që kanë përfshirë rajonin jugperëndimor të Girondës në Francë vijojnë të përhapen, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se vala e katërt e të nxehtit këtë verë, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 40°C, mund ta përkeqësojë më tej situatën.

Më shumë se 2,000 zjarrfikës janë angazhuar në operacionet për shuarjen e flakëve, të cilat gjatë javës së fundit kanë detyruar mbi 70,000 banorë të largohen nga shtëpitë e tyre.

Prefektja e rajonit, Sophie Brocas, bëri të ditur se të martën janë regjistruar shpërthime të reja zjarri në 14 zona të prekura më herët, duke theksuar se situata ende nuk konsiderohet nën kontroll.

Zëdhënësi i Federatës Kombëtare të Zjarrfikësve, Eric Brocardi, e përshkroi përballjen me flakët si një betejë “Davidi kundër Goliathit”. Ai njoftoi se katër zjarrfikës kanë humbur jetën në Francë gjatë javëve të fundit, ndërsa kushtet ekstreme të motit po e vështirësojnë ndjeshëm ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit.

Edhe pse qyteti i Bordeaux nuk ndodhet aktualisht nën kërcënim të drejtpërdrejtë, shqetësimi mbetet i lartë pasi një nga vatrat e zjarrit është lokalizuar vetëm rreth 15 kilometra nga periferia e qytetit.

Komandanti i operacioneve, Rémi Lassoureille, paralajmëroi për rrezikun që mund t’i kanoset zonës metropolitane të Bordeaux, ndërsa cilësia e ajrit është përkeqësuar për shkak të tymit të dendur.

Banorë dhe turistë kanë raportuar se qyteti është mbuluar nga tymi dhe hiri, duke bërë që shumë persona të përdorin maska mbrojtëse dhe të shmangin daljet jashtë. Disa lokale dhe restorante kanë pezulluar aktivitetin për shkak të ndotjes së ajrit.

Ndërkohë, vala e të nxehtit dhe zjarret kanë prekur edhe vende të tjera të Europës Jugore. Në Spanjë temperaturat pritet të arrijnë deri në 40°C, ndërsa rajoni i Madridit është ndër zonat më të goditura nga zjarret.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez deklaroi se vendi po kalon ende ditë të vështira, por situata ka nisur të tregojë shenja përmirësimi. Në Portugali, rreth 400 zjarrfikës vijojnë luftën me një zjarr të madh në zonën lindore të Guardës.