Një situatë e pazakontë raportohet të ketë ndodhur në Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit (IMT) pranë Bashkisë Vlorë, ku, sipas burimeve, një pjesë e madhe e punonjësve kanë diskutuar mundësinë e paraqitjes së një dorëheqjeje kolektive.

Sipas të njëjtave burime, arsyeja e këtij vendimi lidhet me pretendimet se punonjësve u është kërkuar të ndërhyjnë në shembjen e objekteve pa vendime zyrtare prishjeje, çka ka ngritur shqetësime për përgjegjësitë ligjore që mund të mbajnë.

Burimet bëjnë me dije se, pas diskutimeve mes punonjësve, janë zhvilluar edhe takime dhe bisedime të tjera me drejtuesit, ndërsa vendimi për dorëheqjen është lënë për momentin pezull.

Deri në këtë fazë nuk ka një reagim zyrtar nga Bashkia Vlorë apo nga drejtuesit e IMT-së lidhur me këto pretendime.

Nëse institucionet përkatëse do të reagojnë, qëndrimi i tyre do të pasqyrohet në këtë lajm.