Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur Italinë pasditen e së dielës, pranë kufirit mes rajoneve Lazio dhe Umbria, ku të paktën gjashtë persona humbën jetën dhe 27 të tjerë mbetën të plagosur.

Sipas hetimeve paraprake të Policisë Rrugore italiane, një furgon kampingu dyshohet se ka kaluar në korsinë e kundërt të lëvizjes, duke u përplasur ballë për ballë me një autobus që po udhëtonte në drejtim të qytetit të Rietit.

Përplasja e fortë shkaktoi një aksident zinxhir, ku u përfshinë edhe tre automjete të tjera. Si pasojë e goditjes, një prej mjeteve u përmbys në rrugë, duke rënduar bilancin e ngjarjes.

Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, mes viktimave janë dy drejtuesit e autobusit, dy pasagjerë të tij, si dhe dy persona që udhëtonin me furgonin e kampingut.

Autoritetet bëjnë me dije se katër nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike. Ata janë transportuar me helikopterë të urgjencës drejt Spitalit Gemelli në Romë dhe spitalit të Ternit, ku po marrin trajtim të specializuar mjekësor.

Policia Rrugore ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e aksidentit, ndërsa dyshimet e para fokusohen te kalimi i furgonit në korsinë e kundërt të lëvizjes.

Ngjarja ka shkaktuar ndërprerje të qarkullimit në zonë dhe ka mobilizuar forca të shumta të emergjencës, zjarrfikës, ambulanca dhe ekipe policore, të cilat punuan për nxjerrjen e të plagosurve dhe normalizimin e trafikut.