Sekretariati i Etikës vendosi këtë të martë përjashtimin me 60 ditë të deputetit Agron Shehaj nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare, pas incidentit të ndodhur një ditë më parë në ambientet e Kuvendit.
Sipas mazhorancës, Shehaj mori dokumentin që lidhet me marrëveshjen konfidenciale mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe u largua me të nga salla "Gerti Bogdani".
Gjatë mbledhjes së Sekretariatit të Etikës, deputetët e Partisë Demokratike votuan kundër masës disiplinore.
Pas vendimit, deputeti socialist Ulsi Manja deklaroi se rasti i Agron Shehajt është i përsëritur dhe se ndaj tij janë marrë edhe më herët masa disiplinore nga Sekretariati i Etikës.
"Rasti i djeshëm është i paprecedentë, nuk ka ndodhur ndonjëherë që të jetë fshirë vija e respektit reciprok", u shpreh Manja para gazetarëve.
Ai sqaroi gjithashtu se periudha 60-ditore e përjashtimit nuk përfshin kohën kur Kuvendi nuk zhvillon aktivitet për shkak të pushimeve verore.
Manja bëri të ditur se Partia Socialiste do ta referojë çështjen në Prokurori, duke pretenduar se deputeti ka shkelur konfidencialitetin duke nxjerrë dokumentin jashtë ambienteve të përcaktuara nga Kryetarja e Kuvendit.
Nga ana e tij, Agron Shehaj i ka kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tij, ndërsa çështja pritet të ndjekë procedurat përkatëse ligjore.





