Situata e zjarreve në vend paraqitet më e qetë, megjithëse beteja me flakët nuk ka përfunduar. Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 27 vatra zjarri, prej të cilave 5 mbeten aktive, ndërsa dy të tjera po mbahen nën monitorim.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 42 automjete zjarrfikëse dhe 371 forca operacionale. Në mbështetje të tyre janë vënë edhe 153 efektivë të Forcave të Armatosura, 6 automjete zjarrfikëse, një autoambulancë, katër helikopterë dhe një avion “Air Tractor”.

Lajme pozitive vijnë nga Mallakastra, një prej zonave më të goditura nga zjarret gjatë ditëve të fundit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vatra në zonën Panahor–Ndrenie–Vlosh është vendosur nën kontroll.

Nën kontroll është vendosur gjithashtu situata në Koilaç–Greshicë/Hekal, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, në Krujë, ku zjarrfikësit janë përballur me flakë të mëdha gjatë dy ditëve të fundit, situata është përmirësuar ndjeshëm. Në Abaze zjarri është reduktuar në vatra të vogla dhe nuk paraqet rrezik për banesat.

Në zonën e Krastës, terreni i vështirë ka bërë të nevojshme ndërhyrjen nga ajri. Një helikopter i Forcës Ajrore është angazhuar në operacion, ndërsa Ministria sqaron se pranë vatrës nuk ka banesa dhe nuk ekziston rrezik i drejtpërdrejtë për komunitetin.

Situata mbetet më problematike në Vilëz të Kurbinit, ku zjarri vijon të jetë aktiv. Ndërhyrja e dy helikopterëve gjatë ditës së djeshme ka frenuar avancimin e flakëve, duke shmangur rrezikun për kishën, varrezat dhe banesat e zonës.

Në Cikallesh të Kavajës vijon puna për eliminimin e vatrave të mbetura, por situata nuk konsiderohet problematike dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara. Edhe në Dajt dhe Priskë të Madhe situata po monitorohet pa raportime për rrezik ndaj banesave.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shuar plotësisht edhe disa vatra të tjera, mes tyre ato në Xhaferaj–Oblikë, Spatharë dhe Kodrën e Butë në Cërrik.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e tjera të sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin dhe koordinimin e operacioneve, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe zonave të banuara.