Klubi i Futbollit Skënderbeu ka reaguar pas vrasjes së 20-vjeçarit Joan Zuko në Korçë, duke zbuluar se i riu kishte qenë më herët pjesë e Akademisë së klubit dhe më pas kishte vazhduar të qëndronte pranë skuadrës si një tifoz i zjarrtë.

Gjatë periudhës kur ishte aktiv në Akademinë e Skënderbeut, Zuko luante në pozicionin e portierit me ekipet e moshave.

Klubi korçar e ka cilësuar humbjen e tij si një ndarje të parakohshme nga jeta dhe ka shprehur ngushëllimet për familjarët, të afërmit dhe miqtë e 20-vjeçarit.

“Joani ishte pjesë e familjes sonë, fillimisht si futbollist i akademisë dhe më pas si një nga ata tifozë që e mbajnë Skënderbeun në zemër. Në këto momente të vështira, i shprehim ngushëllimet familjes, të afërmve dhe miqve të tij. Prehu në paqe, Joan! Do të mbetesh gjithmonë pjesë e familjes bardhëkuqe”, thuhet në reagimin e klubit.

Joan Zuko kishte shërbyer gjithashtu si ushtar me pagesë për më shumë se një vit, ndërsa rreth dy muaj më parë kishte lënë detyrën. Sipas raportimeve, ai kishte planifikuar të largohej drejt Anglisë, ku ndodhej i vëllai.

Jeta e tij u ndërpre tragjikisht pasditen e së shtunës, pas një konflikti me bashkëmoshatarin dhe shokun e tij të fëmijërisë, Kristjan Sterjo.

Sipas dëshmisë së dhënë nga i dyshuari, mes dy të rinjve kishte pasur konflikte dhe provokime të vazhdueshme. Sterjo ka pretenduar se përplasjet lidheshin me pretendimet se kush ishte “më i forti” i lagjes, ndërsa ka ngritur edhe pretendimin për një konflikt që lidhej me të dashurën e tij. Kjo e fundit mbetet një pistë nën verifikim nga hetuesit dhe nuk është përcaktuar si motiv përfundimtar i krimit.

Sipas të dhënave të raportuara për ngjarjen, Zuko u qëllua me një plumb nga një armë automatike në katin e tretë të një pallati. Autori i dyshuar u largua menjëherë pas ngjarjes, duke vënë në lëvizje Policinë dhe forcat RENEA.

Pas disa orësh kërkime, Kristjan Sterjo u arrestua në afërsi të banesës së tij në orët e vona të së njëjtës mbrëmje.

Sterjo raportohet se kishte precedentë të mëparshëm penalë, mes tyre për plagosje me thikë dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të motivit dhe dinamikës së vrasjes, reagimi i Skënderbeut sjell një tjetër anë të historisë së 20-vjeçarit: përpara tragjedisë, Joan Zuko kishte qenë një prej të rinjve të Akademisë korçare, fillimisht mes shtyllave të portës dhe më pas në tribunë, si tifoz i skuadrës së qytetit.