Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë këtë të diel fshatin Gurshpatë, në bashkinë e Librazhdit, duke mobilizuar dhjetëra forca zjarrfikëse në përpjekje për të vënë nën kontroll flakët.

Sipas informacioneve nga vendngjarja, terreni i vështirë malor po e bën tepër të vështirë ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës, ndërsa era e fortë dhe temperaturat e larta po favorizojnë përhapjen e zjarrit.

Forcat zjarrfikëse vijojnë operacionin në terren për izolimin e vatrave aktive dhe shmangien e përhapjes së flakëve drejt zonave të tjera. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo banesa të prekura nga zjarri.

Zona e Elbasanit ishte paralajmëruar disa ditë më parë nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile si një nga qarqet me rrezik të lartë për shpërthimin e zjarreve, për shkak të valës së të nxehtit që ka përfshirë vendin dhe temperaturave shumë të larta të regjistruara gjatë fundjavës.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet e emergjencës për çdo vatër të dyshimtë, në mënyrë që të parandalohet përhapja e flakëve.