Një i dënuar ka humbur jetën këtë të martë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier, ndërsa dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.

Viktima është Artur Doku, 52 vjeç, banues në Burrel, i cili vuante dënimin për një vrasje të kryer në vitin 1997. Sipas të dhënave, atij i kishin mbetur edhe 9 vite e 5 muaj për të vuajtur nga dënimi.

Burime paraprake bëjnë me dije se 52-vjeçari kishte probleme me zemrën. Pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, ai u transportua drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku mjekët konstatuan vdekjen.

Trupi i pajetë është dërguar në morg për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Sipas informacionit paraprak, nuk ka dyshime për rrethana kriminale. Shkaku zyrtar i vdekjes pritet të përcaktohet pas përfundimit të ekspertizës mjeko-ligjore.