Një grup qytetarësh protestuan këtë të diel në qendër të Shkodrës, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj planit për hapjen e një konsullate serbe në qytet, si dhe pakënaqësi ndaj politikave të qeverisë.

Protestuesit marshuan në rrugët kryesore të qytetit me flamuj kombëtarë dhe pankarta, ndërsa gjatë tubimit mbajtën fjalime ku e cilësuan të papranueshme ngritjen e një përfaqësie konsullore serbe në Shkodër.

Sipas tyre, Shkodra nuk ka lidhje historike, ekonomike apo diplomatike që të justifikojnë hapjen e një konsullate serbe. Ata argumentuan gjithashtu se kjo nismë është e papranueshme për shkak të së kaluarës së marrëdhënieve mes dy vendeve dhe krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

"Duan të hapin një konsullatë serbe në Shkodër. Turp, turp. Serbia nuk është as shtet i Bashkimit Evropian, as ndonjë shtet lider në Evropë. Ne i kemi ende të freskëta plagët dhe varret masive. Kemi vuajtur shumë nga dëbimi dhe shtegtimi i një populli të tërë", u shpreh një prej protestuesve gjatë manifestimit.

Pjesëmarrësit i bënë thirrje institucioneve shtetërore që të rishqyrtojnë vendimin dhe të mos lejojnë hapjen e konsullatës në Shkodër.

Gjatë protestës u dëgjuan gjithashtu thirrje kundër qeverisë, ndërsa tubimi u zhvillua në mënyrë paqësore dhe pa incidente.

Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet lidhur me kërkesat e protestuesve apo mbi çështjen e hapjes së një konsullate serbe në Shkodër.