Ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Gentian Gjyli, është paraqitur këtë të martë në ambientet e SPAK, ku iu komunikua zgjatja me tre muaj e afatit të hetimeve për dosjen që lidhet me tunelin e Llogarasë dhe Lotin 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Në të njëjtën çështje, zgjatja e hetimeve iu komunikua edhe Erald Elezit, ndërsa mes të pandehurve është edhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Sipas përllogaritjeve, afati i ri hetimor do të zgjasë deri më 10 tetor, ndërsa Prokuroria e Posaçme synon të kryejë veprime të tjera hetimore për këtë dosje.
Gentian Gjyli mbërriti në ambientet e SPAK i shoqëruar nga avokati i tij, Andi Skënderaj, si dhe nga një efektiv policie, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë "arrest në shtëpi".
Ish-kreu i ARRSH-së akuzohet për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera.
SPAK vijon hetimet ndaj të gjithë të pandehurve në këtë çështje, e cila lidhet me disa prej investimeve më të mëdha në infrastrukturën rrugore të vendit.




