Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e kësaj të diele në plazhin e Pishporos, në Fier, ku një 49-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se ka pësuar arrest kardiak.
Viktima është identifikuar si Durim Dogani, 49 vjeç. Sipas informacionit paraprak, ai ka hyrë në det, por pak çaste më vonë ka shfaqur probleme shëndetësore, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga një arrest kardiak.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e urgjencës mjekësore dhe efektivët e Policisë. 49-vjeçari u transportua me shenja jete drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku mjekët bënë përpjekje për t'i shpëtuar jetën, por ai ndërroi jetë pak kohë më vonë.
Policia ka nisur veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa dyshimet paraprake tregojnë se shkaku i vdekjes ka qenë një arrest kardiak.
Autoritetet pritet të sqarojnë më tej detajet e rastit pas përfundimit të ekspertizës mjeko-ligjore dhe hetimeve përkatëse.




