Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkodrën, ku një nënë 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu banesën e tyre në fshatin Domen, njësia administrative Postribë.

Sipas informacioneve paraprake, në vendngjarje është gjetur një bombol gazi, ndërsa dyshohet se shpërthimi i saj mund të ketë qenë shkaku i zjarrit. Burime bëjnë me dije gjithashtu se familja ishte kthyer së fundmi nga Gjermania.

Policia njoftoi se ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:10. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe forcat zjarrfikëse.

Si pasojë e flakëve kanë humbur jetën B. Ç., 24 vjeçe, si dhe dy fëmijët e saj të mitur, përkatësisht 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.

Grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie, ndërsa shkaku i zjarrit mbetet ende objekt hetimi.