Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar një paketë vendimesh me fokus mbështetjen e familjeve në nevojë dhe përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës.

Gjatë mbledhjes, të drejtuar nga nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Vasilika Vjero, u miratua lista e familjeve që do të përfitojnë nga programi i bllok-ndihmës ekonomike për periudhën 1-30 qershor 2026.

Sipas Vjeros, pas vlerësimit social-ekonomik të aplikimeve, janë shpallur përfituese 216 familje. Prej tyre, 136 do të mbështeten nga buxheti i Bashkisë së Tiranës, ndërsa 80 familje nga fondi i kushtëzuar deri në masën 6%.

Këshilli miratoi gjithashtu subvencionimin e qirasë për disa familje që nuk kanë mundësi të përballojnë kostot e tregut të lirë, si dhe sistemimin e familjeve të tjera në banesat sociale me qira në zonën e Shkozës.

Në të njëjtën mbledhje u vendos edhe dhënia e ndihmës financiare për 15 subjekte, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga zjarret dhe përmbytjet.

Sipas Bashkisë së Tiranës, masat synojnë të rrisin mbështetjen për familjet që përballen me vështirësi ekonomike ose me pasoja nga fatkeqësitë.