Momente paniku janë regjistruar në brigjet e Palasës, ku të shtëna me armë zjarri të dëgjuara nga një jaht kanë alarmuar pushuesit që ndodheshin në zonë.

Sipas dëshmitarëve, nga mjeti lundrues u dëgjuan disa të shtëna, të cilat i përshkruajnë si të ngjashme me shkarkimin e një karikatori të tërë. Në ato momente, në bord ndodhej një grup personash që kishin ankoruar jahtin pranë bregut dhe po festonin.

Rrethanat në të cilat janë dëgjuar të shtënat mbeten ende të paqarta, ndërsa zhurmat kanë shkaktuar frikë dhe panik te pushuesit e pranishëm në plazh.

Deri më tani nuk ka informacione për persona të lënduar apo dëme materiale.

Po ashtu, deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me ngjarjen dhe nuk dihet nëse është identifikuar mjeti lundrues apo personat që ndodheshin në bord.

Pritet që autoritetet të dalin me një njoftim zyrtar për të sqaruar rrethanat e incidentit dhe për të konfirmuar natyrën e të shtënave të raportuara nga dëshmitarët