Sekretariati i Etikës në Kuvend pritet të mblidhet këtë të martë, në orën 09:30, për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin me 60 ditë të deputetit Agron Shehaj nga punimet e Parlamentit.

Përveç masës disiplinore, grupi parlamentar i PS-së ka kërkuar edhe referimin e çështjes në SPAK, pas incidentit të ndodhur gjatë seancës plenare, ku, sipas socialistëve, Shehaj mori një dokument që ata e cilësojnë konfidencial.

Në kërkesën e depozituar, PS pretendon se një këshilltare parlamentare u përpoq të ndalonte deputetin dhe të rimerrte dokumentin, por gjatë ndërhyrjes është rrëzuar në shkallë, duke pësuar lëndime.

Sipas socialistëve, veprimet e Shehajt përbëjnë shkelje të rënda dhe mund të ngrihen dyshime për disa vepra penale, mes tyre marrja e paligjshme e informacionit të klasifikuar, vjedhja ose forma të tjera të përvetësimit të paligjshëm, grabitja, pengimi i detyrës së funksionarit publik, si edhe shkelje që lidhen me mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe sigurinë kombëtare.

Në argumentimin e saj, Partia Socialiste pretendon gjithashtu se rrethanat e ngjarjes duhet të hetohen nga SPAK për të verifikuar nëse ekzistojnë elementë të tjerë penalë.

Sekretariati i Etikës pritet të vendosë gjatë ditës mbi kërkesën për masën disiplinore ndaj Agron Shehajt. Nga ana e tij, deputeti ka kundërshtuar më herët akuzat e ngritura ndaj tij, ndërsa vendimmarrja përfundimtare i takon organeve përkatëse parlamentare dhe institucioneve të drejtësisë.