Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka komentuar protestat që po zhvillohen prej 57 ditësh në Tiranë, duke i cilësuar ato si një reagim të jashtëzakonshëm qytetar dhe një moment të rëndësishëm për zhvillimet politike në vend.
Në një intervistë televizive, Salianji u shpreh se pjesëmarrja e vazhdueshme në protesta dëshmon pakënaqësinë e qytetarëve ndaj qeverisë, duke theksuar se mobilizimi nuk është ndikuar as nga temperaturat e larta dhe as nga faktorë të tjerë.
"Është një ngjarje e paprecedentë në Shqipëri. Ka një pjesëmarrje të jashtëzakonshme dhe një qëndrueshmëri për t'u pasur zili. Qytetarët kanë dalë për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe nuk janë ndikuar as nga temperaturat e larta, as nga ngjarje të tjera. Kjo protestë ka marrë mbështetjen e qytetarëve", u shpreh Salianji.
Ai deklaroi se si kryeministri Edi Rama, ashtu edhe kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, sipas tij, janë figura politike që kanë humbur mbështetjen e qytetarëve.
"Sot Rama duket i dalë mode, bashkë me Berishën. Ata po mbrojnë njëri-tjetrin dhe interesat e tyre, ndërsa partitë i kanë kthyer në prona private", tha ish-deputeti demokrat.
Salianji shtoi se protestat janë pasojë e mungesës së përfaqësimit politik dhe e një sistemi që, sipas tij, favorizon interesat personale në dëm të qytetarëve.
Duke komentuar edhe propozimin e kryeministrit Rama për një dokument të ri politik të bazuar te koncepti i "Besës", Salianji u shpreh kritik, duke argumentuar se "Besa" është një institucion tradicional i marrëdhënieve shoqërore dhe nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë politike.
"Besa ka qenë një institucion i shenjtë në traditën shqiptare. Ta përdorësh sot në politikë është regres. Në këtë situatë, Rama është treguar i pabesë, sepse nuk ka respektuar kontratën me shqiptarët", deklaroi Salianji.





