Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur një sërë masash dhe detyrimesh të reja për operatorët celularë Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA, pas përfundimit të një hetimi të thelluar në tregun me pakicë të shërbimeve celulare.

Sipas vendimit të Komisionit të Konkurrencës, masat synojnë korrigjimin e problematikave të konstatuara gjatë hetimit, duke rritur mbrojtjen e konsumatorëve përmes më shumë transparence, zgjedhjeve më të gjera dhe aksesit në paketa më të favorshme.

Gjatë periudhës së hetimit, Autoriteti evidentoi rritje progresive dhe të përafërta të çmimeve nga të dy operatorët, ngjashmëri të lartë mes paketave të ofruara, reduktim të ofertave me çmime më të ulëta, si dhe mungesë dokumentacioni të mjaftueshëm për të justifikuar ndryshimet tarifore.

Në bazë të vendimit të datës 24 korrik 2026, Vodafone Albania dhe One Albania janë të detyruara që, brenda 90 ditëve, të krijojnë paketa të dedikuara dhe më të favorshme për pensionistët dhe studentët e moshës 18 deri në 23 vjeç.

Një tjetër detyrim i rëndësishëm është që paketat më ekonomike të jenë të disponueshme jo vetëm në aplikacionet apo kanalet digjitale, por edhe në të gjitha pikat fizike të shitjes, duke garantuar akses të barabartë për të gjithë abonentët.

Vendimi përcakton gjithashtu se abonentët, pas përfundimit të kontratës, duhet të kenë mundësinë të kalojnë në një paketë më të lirë pa penalitete dhe pa pengesa të pajustifikuara nga operatorët.

Po ashtu, çdo ndryshim në çmim, përmbajtje ose vlefshmëri të paketave duhet t'u komunikohet individualisht klientëve, në mënyrë të qartë dhe të paktën 30 ditë përpara hyrjes në fuqi të ndryshimeve.

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur edhe detyrimin që çdo rritje çmimi të mbështetet në analiza të dokumentuara të kostove, të cilat operatorët duhet t'i ruajnë për një periudhë pesëvjeçare.

Sipas vendimit, paketat e reja duhet të kenë diferencim real mes tyre dhe të mos kufizojnë mundësinë e zgjedhjes për konsumatorët. Gjithashtu, kontratat standarde të abonimit do t'i nënshtrohen vlerësimit paraprak nga Autoriteti i Konkurrencës, me synimin për të shmangur klauzolat e padrejta.

Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me bartjen e numrit celular, ku operatorët detyrohen të përcaktojnë qartë në kontrata procedurat dhe afatet për kalimin nga një operator tek tjetri.

Autoriteti i Konkurrencës njofton se zbatimi i të gjitha detyrimeve do të monitorohet për një periudhë njëvjeçare nga hyrja në fuqi e vendimit. Në rast të mosrespektimit të masave, Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA do të përballen me penalitetet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.