Rovena Zoto (Bozo) është zyrtarisht kandidatja e dytë që hyn në garë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, pasi ka dorëzuar kërkesën e saj pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).
Një ditë më parë, kandidaturën e depozitoi edhe prokurori i posaçëm i SPAK, Adnan Xholi, duke shprehur interesin për të marrë pjesë në procesin e përzgjedhjes.
Aktualisht, Rovena Zoto ushtron detyrën si prokurore pranë Prokurorisë së Tiranës. Ajo ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe është emëruar prokurore në vitin 2010.
Gjatë karrierës së saj mbi 15-vjeçare, Zoto ka shërbyer në Prokuroritë e Lushnjës, Fierit dhe Tiranës, duke u angazhuar kryesisht në hetimin e krimeve ekonomike dhe financiare, pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe hetimeve pasurore.
Në fillim të karrierës së saj, ajo ka punuar në seksionet kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar, si edhe kundër Trafiqeve të Paligjshme në Prokurorinë e Tiranës.
Prej vitit 2021, Zoto është pjesë e Prokurorisë së Tiranës, ku fillimisht ushtroi detyrën në Seksionin për Narkotikët, Trafiqet dhe Krimet e Rënda ndaj Jetës, ndërsa më pas në Seksionin e Posaçëm.
Që nga marsi i vitit 2026, ajo drejton Seksionin për Drejtësinë Penale për të Miturit pranë Prokurorisë së Tiranës.
Ndër dosjet më të fundit të hetuara prej saj është edhe ajo ndaj Granit Pepnikës, e lidhur me aktivitetin e call center-ave.
Me kandidimin e Rovena Zotos, gara për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme numëron tashmë dy kandidatë zyrtarë, ndërsa afati për paraqitjen e kandidaturave mbetet ende i hapur.





