Reshjet me intensitet të lartë që përfshinë orët e fundit zonat veriore të vendit kanë shkaktuar rënie gurësh dhe materialesh në disa akse rrugore, por pa krijuar probleme për qarkullimin e automjeteve.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njofton se situata është monitoruar gjatë gjithë kohës, ndërsa ekipet e mirëmbajtjes kanë ndërhyrë menjëherë për pastrimin e segmenteve të prekura.

Sipas ARRSH-së, rënie gurësh janë regjistruar në akset Bajram Curri–Valbonë, Ura Bujan–Qafë Morinë, Qafë Mejdan–Tropojë–Buçaj, Bajram Curri–Fierzë dhe Dushaj–Lekbibaj, pa ndikuar në lëvizjen e mjeteve.

Përkohësisht është bllokuar edhe aksi Qafë Thorë–Theth, si pasojë e materialeve të rëna në rrugë.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme të kontraktorit të mirëmbajtjes, me mjete dhe punonjës të angazhuar në terren, segmenti u pastrua brenda një kohe të shkurtër dhe qarkullimi është rikthyer në normalitet.

ARRSH u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në zonat malore, pasi reshjet mund të shkaktojnë rënie gurësh dhe materialesh në trupin e rrugës.