Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore zhvilloi këtë të martë një tryezë teknike të fokusuar te parandalimi dhe reagimi ndaj keqpërdorimit të burimeve administrative gjatë proceseve zgjedhore.
Kryetari i Komisionit, Damian Gjiknuri, u shpreh se synimi është që puna e kësaj tryeze të përkthehet në një paketë ndryshimesh ligjore brenda këtij viti. Ai kujtoi se afati për përfundimin e Reformës Zgjedhore është shtyrë deri në muajin nëntor dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes te praktikat më të mira të vendeve evropiane.
Sipas Gjiknurit, kjo mbetet një nga çështjet ku mazhoranca dhe opozita kanë pasur qëndrime të ndryshme, ndaj tryeza synon të krijojë një bazë të përbashkët për zgjidhje konkrete.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari i Komisionit, Oerd Bylykbashi, e cilësoi keqpërdorimin e burimeve administrative si një nga problemet më të rënda që cenon integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri.
Bylykbashi deklaroi se, sipas tij, asnjë sistem zgjedhor nuk mund të garantojë standarde të drejta nëse burimet shtetërore përdoren në favor të një subjekti politik. Ai kërkoi miratimin e mekanizmave më të fortë ligjorë për të parandaluar fenomene të tilla, brenda kufijve që lejon legjislacioni.
Tryeza teknike pritet të shërbejë si bazë për hartimin e propozimeve që do të diskutohen në kuadër të Reformës Zgjedhore, me synimin për forcimin e standardeve dhe integritetit të proceseve zgjedhore në vend.





