Shqipëria mbetet një nga vendet e ekspozuara ndaj sulmeve kibernetike nga aktorë shtetërorë, veçanërisht Irani dhe Rusia. Ky është vlerësimi i raportit më të fundit të Këshillit Këshillimor për Sigurinë Jashtë Vendit, të hartuar për Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH).

Raporti e rendit Shqipërinë mes vendeve që përballen me rrezik serioz nga sulmet kibernetike dhe përmend sulmet e mëparshme të atribuara Iranit ndaj sistemeve shtetërore dhe faqeve zyrtare në vend.

Dokumenti ndalet edhe te protestat e zhvilluara në Shqipëri gjatë muajve të fundit. Sipas raportit, protestat nisën në qershor kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit, ndërsa më pas u zgjeruan në protesta kundër qeverisë, ku në disa raste pati edhe përshkallëzim të dhunës.

Megjithatë, raporti thekson se prania e grupeve anti-amerikane në Shqipëri është e kufizuar dhe se komuniteti ndërkombëtar, në përgjithësi, pritet mirë në vend.

Sa i përket terrorizmit, raporti e klasifikon Tiranën me një nivel mesatar rreziku, ndërsa vëren se gjatë dekadës së fundit nuk është regjistruar asnjë sulm terrorist i suksesshëm në Shqipëri.

Si rasti më domethënës përmendet komploti i vitit 2018, i lidhur me regjimin iranian dhe i drejtuar kundër anëtarëve të organizatës së muxhahedinëve të strehuar në Shqipëri, i cili, sipas raportit, u parandalua nga autoritetet dhe autorët u arrestuan.

Edhe për nivelin e kriminalitetit, raporti e vlerëson Tiranën me rrezik mesatar, por njëkohësisht vlerëson bashkëpunimin mes autoriteteve shqiptare dhe Shteteve të Bashkuara në luftën kundër krimit, forcimin e kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe përpjekjet për reduktimin e korrupsionit.