Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave që pasuan deklaratat e tij për "Bulevardin e Flamingove", duke sqaruar se mesazhi i tij nuk u drejtohej kritikëve, por "mësimeve" që, sipas tij, mori nga flamingot.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama iu përgjigj kërkesave për dorëheqje të artikuluara gjatë protestave, duke theksuar se nuk ka asnjë kontratë politike me ata që protestojnë, por me qytetarët që e kanë votuar.
"Asnjë prej tyre s'më ka dhënë votë, me asnjë prej tyre s'kam kontratë dhe për asnjë prej tyre, e as për të gjithë ata bashkë, s'më ka shkuar asnjëherë ndërmend të prish kontratën me 800 mijë shqiptarë", shkruan Rama.
Kryeministri thekson se fjala e tij për "Bulevardin e Flamingove" kishte të bënte me reflektimet dhe mësimet që, sipas tij, nxori nga kjo metaforë, ndërsa shton se protestuesit, të cilët ai i përshkruan si "sorra dhe korba", nuk ishin adresat e mesazhit të tij.
"Fjala ime ishte për mësimet që mora nga flamingot dhe i drejtohej atyre, jo puplave të zeza që mblidhen çdo natë në bulevard pas shtegtimit të flamingove", shprehet ai.
Në reagimin e tij, Rama i cilëson "sorrat dhe korbat" si "anën e errët të protestës", duke shtuar se ato nuk kanë lidhje me konceptin e "Besës", të cilin e ka përdorur në komunikimet e tij të fundit politike.
"Kështu që sorrat dhe korbat as mos lodhen hiç së refuzuari BESËN, sepse BESA jonë s'ka asnjë lidhje me ta. Le të vazhdojnë të vijnë poshtë dritares sime me kërkesën për dorëheqje deri në vitin 2029, nëse duan. Liria është e njëjtë për të gjithë dhe demokracia funksionon njësoj për të gjithë", shkruan kryeministri.
Në përfundim të reagimit, Rama nënvizon se mandati i tij nuk varet nga kërkesat e protestuesve, por nga qytetarët që e kanë votuar.
"Kontrata ime me shqiptarët nuk varet në asnjë pikë të vetme nga ata, por është pronë e të gjithë atyre me të cilët e kam nënshkruar dhe gur themeli i jetës demokratike", përfundon kryeministri në postimin e tij në rrjetin social X.





