Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të hënë një takim me efektivët e zjarrfikësve dhe trupat e Emergjencave Civile në Bazën Ajrore të Farkës, ku kërkoi gatishmëri maksimale për përballimin e sezonit të zjarreve.
Gjatë fjalës së tij, Rama solli në vëmendje situatën e rëndë që po përjetojnë Franca dhe Spanja, ku mijëra hektarë pyje janë përfshirë nga flakët dhe qindra mijëra banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
"Kolegët tuaj janë prej ditësh në një front ferri. Solidariteti i njerëzve që luftojnë kundër zjarrit nuk njeh kufij. Nëse do të na kërkohet ndihmë, Shqipëria do të japë kontributin e saj, ashtu siç kemi bërë edhe në të kaluarën", u shpreh kryeministri.
Rama theksoi se ndryshimet klimatike kanë bërë që zjarret të mos jenë më raste të izoluara, por një rrezik i përhershëm, duke paralajmëruar se skenarë të ngjashëm me ata të Francës dhe Spanjës mund të ndodhin edhe në Shqipëri.
Sipas tij, sezoni i këtij viti do të shërbejë si një test për të vlerësuar përmirësimet e bëra në koordinimin e forcave të angazhuara në emergjencat civile.
Kryeministri bëri të ditur se këtë vit koordinimi i operacioneve po drejtohet nga Ministria e Pushtetit Vendor, ndërsa theksoi se vendi ka tashmë kapacitete më të avancuara se vitet e kaluara.
"Kemi në gatishmëri katër helikopterë dhe kemi përfunduar procedurat për blerjen e tre avionëve zjarrfikës, të cilët do t'i shtohen flotës në fund të këtij viti. Gjithashtu, kemi dakordësuar mbështetjen me mjete ajrore nga bazat partnere në rast të emergjencave të mëdha", deklaroi Rama.
Në përfundim, kreu i qeverisë u bëri thirrje të gjitha strukturave të angazhuara të punojnë me disiplinë dhe koordinim, duke theksuar se për Shqipërinë çdo hektar pyll ka rëndësi dhe duhet mbrojtur.





