Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) ka miratuar lejen e parë në kuadër të Paketës së Maleve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama njoftoi se përfituesja e parë është familja Hasani nga Thethi, e cila ka vendosur të rikthehet në vendlindje dhe të investojë kursimet e saj në pronën e trashëguar.

Sipas kreut të qeverisë, projekti parashikon ringritjen e shtëpisë së të parëve dhe zhvillimin e aktivitetit në fushën e agroturizmit, bujqësisë, blegtorisë dhe agropërpunimit.

“Sot u miratua në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit leja e parë e Paketës së Maleve, për familjen Hasani nga Thethi, e cila ka vendosur të investojë kursimet e veta në tokën e të parëve në vendlindje dhe të kthehet në Shqipëri”, shkroi Rama.

Kryeministri e cilësoi Paketën e Maleve si një nismë që u jep trashëgimtarëve mundësinë, tashmë të garantuar me ligj, për të restauruar banesat e trashëguara dhe për t'i zhvilluar pronat e familjes përmes aktiviteteve ekonomike të lidhura me turizmin dhe bujqësinë.

“Kjo është Paketa e Maleve, paketa e trashëgimtarëve që tanimë me ligj e jo veç me zakon, mund të rilindin shtëpitë e vjetra të stërgjyshërve apo të zhvillojnë me agroturizëm, prodhim bujqësor, blegtoral dhe agropërpunim tokat e të parëve të tyre”, u shpreh Rama.