Qeveria ka përgatitur një projektvendim që parashikon rregulla të reja për shenjimin, gjurmimin dhe monitorimin e nënprodukteve të naftës, me synim forcimin e kontrollit mbi tregun e karburanteve, luftën kundër evazionit fiskal dhe garantimin e pagesës së akcizës.
Sipas projektaktit, nafta dhe benzina, përpara se të hidhen në qarkullim të lirë, do t'i nënshtrohen detyrimisht një procesi shënjimi me një substancë të posaçme, e cila do të mundësojë identifikimin dhe gjurmimin e tyre përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit.
Projektvendimi përcakton se subjektet që importojnë, prodhojnë, rafinojnë, magazinojnë, transportojnë, shpërndajnë apo tregtojnë karburante do të jenë të detyruara të kryejnë këtë procedurë, në përputhje me kuadrin ligjor.
Shërbimi i shënjimit do të ofrohet ekskluzivisht nga shoqëria shtetërore ALBTrace CO, e cila do të jetë përgjegjëse për injektimin e shënjuesit, administrimin e sistemit të monitorimit dhe lëshimin e certifikatës së shënjimit për çdo ngarkesë karburanti.
Sipas projektvendimit, substanca shënjuese RUM do të jetë shenjuesi zyrtar dhe do të furnizohet vetëm nga ALBTrace CO, e cila zotëron ekskluzivisht teknologjinë dhe të drejtat për përdorimin e saj.
Tarifa për këtë shërbim është përcaktuar në 6.5 euro, pa TVSH, për çdo 1 000 litra karburant të shënjuar.
Projektakti ndalon importimin, tregtimin, transportimin apo magazinimin e karburanteve që nuk përmbajnë shenjuesin zyrtar, si edhe çdo ndërhyrje në pajisjet ose teknologjinë e përdorur për procesin e shënjimit dhe monitorimit.
Administrata Doganore do të mbikëqyrë zbatimin e regjimit të ri përmes laboratorëve të lëvizshëm, analizave në terren dhe sistemeve të monitorimit për të verifikuar përputhshmërinë e karburanteve me kërkesat ligjore.
Sipas projektvendimit, rregullat e reja do të hyjnë në zbatim pas një periudhe tranzitore prej gjashtë muajsh nga hyrja në fuqi e vendimit. Pas kësaj periudhe, asnjë produkt që i nënshtrohet shënjimit nuk do të mund të importohet, tregtohet, transportohet apo të hidhet në treg pa kaluar më parë procesin e shënjimit dhe monitorimit.
Operatorët ekonomikë do të kenë gjithashtu detyrimin të deklarojnë inventarin e produkteve të naftës brenda 30 ditëve nga fillimi i zbatimit të regjimit të ri.






