Qeveria shqiptare ka miratuar rregulla të reja për kufizimin e zhurmave në zonat bregdetare, me synim garantimin e një sezoni turistik më të qetë për pushuesit.

Sipas vendimit, niveli i zhurmës nuk duhet të kalojë 65 decibel nga orët e mëngjesit deri në 20:00, ndërsa nga ora 20:00 deri në 23:00 kufiri maksimal i lejuar do të jetë 45 decibel.

Masat e reja u prezantuan në Lezhë nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili i cilësoi ato të domosdoshme në kulmin e sezonit turistik.

Sipas ministrit, pushuesit kërkojnë mbi të gjitha qetësi dhe kushte të përshtatshme për pushim, ndaj respektimi i kufijve të zhurmës do të monitorohet përmes kontrolleve të vazhdueshme në terren.

Lamallari pranoi se zbatimi i rregullave mund të hasë kundërshtime nga biznese të caktuara, por theksoi se vendosja e standardeve për nivelin e zhurmës është e domosdoshme për zhvillimin e një turizmi cilësor dhe të qëndrueshëm.

Edhe kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, e vlerësoi nismën si një hap që kontribuon në përmirësimin e sezonit turistik në zonë.

Gjatë vizitës në Lezhë, ministri Lamallari, i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim në Bashkinë e Lezhës, ku u diskutua forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritja e efikasitetit të kontrolleve për të garantuar rendin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik.