Partia Socialiste ka reaguar zyrtarisht pas debatit të krijuar për projektin e ri të Reformës Administrativo-Territoriale, duke sqaruar se bashkitë e përfshira në proces nuk do të "zhduken", por do të bashkohen administrativisht me bashki fqinje.

Në një njoftim për mediat, grupi i Reformës Territoriale thekson se qytetet do të ruajnë emrin, identitetin dhe qendrën e tyre urbane, por nuk do të kenë më një kryetar bashkie të veçantë.

“Bashkitë e përfshira në këtë proces ruajnë emrin, identitetin dhe qendrën e tyre urbane. Ato përfshihen në një strukturë të re administrative përmes bashkimit me bashkitë fqinje, duke vijuar të kenë statusin e qytetit përbërës brenda njësisë së re vendore”, thuhet në reagimin e PS-së.

Sipas socialistëve, çdo qytet i përfshirë në reformë do të përfaqësohet nga një nënkryetar dhe përfaqësues në këshillin bashkiak, të cilët do të kenë rol në planifikimin vendor, organizimin e shërbimeve dhe administrimin e çështjeve të komunitetit.

PS thekson se synimi i reformës është rritja e efikasitetit të qeverisjes vendore, duke ruajtur njëkohësisht historinë, identitetin dhe lidhjen e qytetarëve me territorin ku jetojnë.

Sipas projektligjit të depozituar në Kuvend, Shqipëria do të organizohet në 46 bashki, 71 qytete dhe 387 njësi administrative, ndërsa numri i qarqeve do të mbetet 12. Aktualisht vendi ka 61 bashki.

Projekti parashikon bashkimin administrativ të 15 bashkive, konkretisht: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas.

Sipas draftit, bashkia do të mbetet njësia bazë e qeverisjes vendore, ndërsa qytetet do të kenë status të veçantë ligjor si pjesë përbërëse e bashkive të reja.