Partia Socialiste pritet të depozitojë brenda këtij sesioni parlamentar projektligjin për ndarjen e re territoriale, duke i hapur rrugë një prej reformave më të rëndësishme në organizimin e pushtetit vendor.
Sipas burimeve të Euronews Albania, nisma do të vijë si propozim i deputetëve socialistë përmes ndryshimeve në ligjin për vetëqeverisjen vendore. Ky hap vjen pasi komisioni i posaçëm parlamentar, i ngritur për reformën, nuk arriti të prodhonte një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës.
Gjatë punës së komisionit, opozita kërkoi shtyrjen e afatit për vijimin e diskutimeve, ndërsa shumica vendosi të dorëzojë në Kuvend raportin e saj, pa arritur një dakordësi mes palëve.
Megjithatë, miratimi i projektligjit nuk pritet të bëhet menjëherë. Sipas procedurave të parashikuara në ligjin për vetëqeverisjen vendore, kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë do të kenë 60 ditë kohë për të dhënë opinionet e tyre mbi draftin.
Pas përfundimit të këtij procesi konsultimi, projektligji do të shqyrtohet në komisionet parlamentare dhe më pas do t'i nënshtrohet votimit në seancë plenare.
Objektivi i mazhorancës është që reforma për ndarjen e re territoriale të miratohet brenda fillimit të muajit tetor.





