Partia Socialiste ka kërkuar marrjen e masave disiplinore ndaj deputetit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, si edhe referimin e rastit në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), pas incidentit të ndodhur gjatë shqyrtimit të marrëveshjes së huasë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një kërkesë drejtuar kryetarit të Kuvendit dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, PS kërkon që Shehaj të përjashtohet nga pjesëmarrja në komisionet parlamentare dhe seancat plenare për 60 ditë.

Sipas socialistëve, deputetët ishin informuar se dokumentacioni i marrëveshjes përmbante informacion të klasifikuar dhe mund të konsultohej vetëm në ambientet e përcaktuara nga Kuvendi, pasi të nënshkruhej deklarata e konfidencialitetit.

Në kërkesën e PS-së thuhet se Agron Shehaj është paraqitur në sallën ku ndodhej dokumenti dhe ka kërkuar ta marrë me vete kopjen fizike. Pas refuzimit nga stafi i Kuvendit, socialistët pretendojnë se deputeti e ka marrë dokumentin me forcë dhe është larguar.

Sipas shkresës, një këshilltare e Kuvendit e ka ndjekur për të rimarrë dokumentin, por gjatë përpjekjes është rrëzuar në shkallë dhe ka pësuar dëmtime.

"Deputeti Agron Shehaj, me sjelljet e tij të përsëritura të dhunshme dhe agresive, ka vënë në rrezik këshilltaren, e cila është gjendur e pambrojtur përballë kësaj sjelljeje të dhunshme dhe të papranueshme", thuhet në kërkesën e depozituar nga Partia Socialiste.

Përveç masës disiplinore, mazhoranca kërkon që çështja t'i referohet edhe SPAK-ut për hetim, duke pretenduar se veprimet e deputetit mund të përbëjnë vepra penale që lidhen me marrjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar, përvetësimin e dokumenteve, pengimin e detyrës së funksionarëve publikë dhe shkeljen e dispozitave për mbrojtjen e sekretit shtetëror.

Deri tani, Agron Shehaj nuk ka reaguar publikisht ndaj kërkesës së Partisë Socialiste.