Një tjetër protestë qytetare është thirrur për këtë të hënë, 27 korrik, përpara godinës së Parlamentit, me thirrjen se qytetarët nuk ndihen më të përfaqësuar nga deputetët.

Organizatorët kanë ftuar qytetarët të mblidhen në orën 08:30, për të shprehur pakënaqësinë ndaj Kuvendit dhe klasës politike, duke e cilësuar institucionin si të shkëputur nga interesat dhe problemet e qytetarëve.

Pas tensioneve të regjistruara në protestën e 23 korrikut, Policia e Shtetit pritet të zbatojë edhe këtë herë një plan të posaçëm masash. Zona përreth Parlamentit do të jetë nën masa të forta sigurie, me prani të shtuar të efektivëve të policisë, forcave të ndërhyrjes së shpejtë, barrierave metalike dhe autobotëve me ujë, me synimin për të parandaluar çdo tentativë për depërtim të protestuesve drejt godinës së Kuvendit.

Protesta e zhvilluar më 23 korrik u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Policia përdori gaz lotsjellës dhe mjete me ujë me presion për të shpërndarë turmën, ndërsa një pjesë e protestuesve hodhën vezë dhe tentuan të çanin kordonin e sigurisë. Përplasjet zgjatën për disa orë, ndërsa pas përfundimit të protestës policia shoqëroi 32 persona.

Në këto kushte, autoritetet kanë vendosur një regjim të lartë sigurie për seancën parlamentare të së hënës. Mbetet për t'u parë nëse protesta do të zhvillohet pa incidente apo nëse do të përsëriten skenat e tensionit të regjistruara vetëm pak ditë më parë.

Sipas rendit të ditës, Kuvendi pritet të shqyrtojë vetëm një projektvendim që lidhet me caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme parlamentare. Ndërkohë, opozita pritet të mbajë qëndrime kritike ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, si edhe të shprehë mbështetje për protestuesit dhe kërkesat e tyre.