Banorët e Divjakës kanë dalë për të katërtën mbrëmje radhazi në protestë kundër projektit të reformës së re territoriale, i cili parashikon bashkimin e bashkisë së tyre me Lushnjen.
Tubimit i janë bashkuar qytetarë, përfaqësues të forcave politike, administrata vendore, si edhe kryetari i Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea, të cilët kundërshtojnë ndryshimin e propozuar.
Protestuesit argumentojnë se Divjaka plotëson të gjitha kriteret për të vijuar të funksionojë si bashki më vete, duke theksuar potencialin ekonomik dhe pasuritë natyrore që ka zona. Sipas tyre, Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, laguna, pylli dhe plazhi përbëjnë resurse të rëndësishme që e bëjnë bashkinë të qëndrueshme dhe me identitet të veçantë.
Pas grumbullimit në sheshin qendror, qytetarët marshuan në rrugët e qytetit, duke u bërë thirrje edhe banorëve të tjerë t'u bashkohen protestave, ndërsa paralajmëruan se kundërshtimi do të vijojë derisa propozimi për shkrirjen e bashkisë të tërhiqet.




