Protesta kundër qeverisë hyn sot në ditën e 61-të, ndërsa edhe këtë pasdite qytetarët pritet të mblidhen para godinës së Kryeministrisë për të vijuar mobilizimin e përditshëm.

Lëvizja, e cila nisi si një reagim ndaj zhvillimeve në Zvërnec, është shndërruar në një protestë të përditshme, ku pjesëmarrësit shprehin kundërshtimin ndaj qeverisë dhe asaj që ata e cilësojnë si klasën politike aktuale.

Gjatë dy muajve të fundit, protestat janë shoqëruar me tubime dhe marshime në rrugët kryesore të Tiranës, ndërsa protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe ndryshime në mënyrën e qeverisjes.

Edhe në tubimin e një dite më parë, aktivistët deklaruan se nuk kanë ndërmend të tërhiqen, duke e cilësuar vazhdimësinë e protestës si dëshmi të qëndresës qytetare.

Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit zhvilluan marshimin e përnatshëm në rrugët e kryeqytetit, duke përsëritur thirrje si "Rama ik", "Dorëheqje", "Shqipëri e re" dhe "Revolucion".

Sipas organizatorëve, edhe protesta e sotme do të ndjekë të njëjtin skenar, me një tubim para Kryeministrisë, i ndjekur nga një marshim në disa prej akseve kryesore të Tiranës.

Organizatorët kanë deklaruar se protesta do të vijojë çdo ditë deri në realizimin e kërkesave të tyre për largimin e qeverisë dhe ndryshimin e klasës politike.