Policia e Shtetit ka paralajmëruar qytetarët për shtimin e rasteve të mashtrimeve kibernetike që synojnë marrjen e kontrollit të llogarive WhatsApp përmes mesazheve dhe lidhjeve mashtruese.
Sipas njoftimit zyrtar, autorët u dërgojnë përdoruesve linke me pretendime të ndryshme, si pjesëmarrje në konkurse online apo konfirmime veprimesh, me qëllim që të sigurojnë kodin 6-shifror të verifikimit të aplikacionit.
Policia sqaron se, pasi ky kod vendoset nga përdoruesi, mashtruesit mund ta përdorin atë për të regjistruar llogarinë në një pajisje tjetër dhe për të marrë kontrollin e saj.
Për këtë arsye, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, edhe në rastet kur ato dërgohen nga persona të njohur.
Gjithashtu, këshillohet që kodi i verifikimit të WhatsApp të mos ndahet me askënd dhe të aktivizohet funksioni "Two-Step Verification" (Verifikimi me dy hapa), i cili ofron një shtresë shtesë sigurie për llogarinë.
Në rast se një përdorues dyshon se llogaria e tij është komprometuar, Policia rekomandon marrjen e menjëhershme të masave për rikuperimin e saj, si edhe njoftimin e kontakteve për të shmangur përhapjen e mëtejshme të mashtrimit.
"Mbrojtja e të dhënave tuaja nis me kujdesin tuaj", apelon Policia e Shtetit, duke theksuar se vigjilenca mbetet mbrojtja më efektive ndaj mashtrimeve kibernetike.





