Protesta e zhvilluar këtë të hënë para Kuvendit u shoqërua me masa të rrepta sigurie, ndërhyrje të Policisë së Shtetit dhe disa incidente mes protestuesve dhe efektivëve.

Qytetarët dhe aktivistët u mblodhën rreth orës 08:30 me thirrje kundër deputetëve, ndërsa hyrjet drejt Parlamentit ishin bllokuar nga kordonë të shumtë policie. Në zonë ishin vendosur qindra efektivë, forca të Ndërhyrjes së Shpejtë, automjete të blinduara dhe mjete për shpërndarjen e turmave.

Masat e sigurisë krijuan vështirësi edhe për qytetarët që lëviznin në zonë, pasi shumë rrugë u bllokuan dhe kalimtarët u detyruan të përdornin itinerare alternative.

Gjatë protestës, një pjesë e demonstruesve u pozicionuan pranë Xhamisë së Namazgjasë, ndërsa të tjerë pranë Ministrisë së Brendshme. Më pas ata marshuan drejt Rrugës së Elbasanit, të shoqëruar gjatë gjithë itinerarit nga forca të shumta policie.

Sipas raportimit të BIRN, policia shoqëroi disa protestues, mes tyre edhe aktivistin Arben Kola, ndërsa pati ndërhyrje fizike gjatë ndalimeve. Në një moment të protestës, pas hedhjes së një guri në drejtim të efektivëve, policia përdori spraj me piper. Si pasojë u prekën disa protestues, fotoreporteri Malton Dibra, si dhe një i ri që u transportua me autoambulancë drejt spitalit.

Protestuesit hodhën vezë në drejtim të policisë, ndërsa disa aktivistë u bënë thirrje pjesëmarrësve të ruanin qetësinë dhe të shmangnin përshkallëzimin e situatës.

Më vonë, protesta u zhvendos drejt Komisariatit nr. 1, ku protestuesit kërkuan lirimin e personave të shoqëruar nga policia. Pas lirimit të tij, aktivisti Arben Kola deklaroi se nuk kishte kryer asnjë veprim të paligjshëm.

Në deklarata për BIRN, aktivistët Edison Lika, Sidorela Vatnikaj dhe Fatma Paja kritikuan mënyrën e ndërhyrjes së policisë, duke pretenduar se protesta ishte paqësore dhe se përdorimi i forcës ishte i pajustifikuar. Sipas tyre, numri i efektivëve në terren ishte shumë më i madh se ai i protestuesve dhe disa shoqërime u kryen pa pasur incidente të dhunshme.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit kishte marrë masa të shtuara sigurie për zhvillimin e seancës plenare dhe mbrojtjen e institucioneve shtetërore, ndërsa deri më tani nuk ka publikuar një reagim të detajuar për pretendimet e ngritura nga protestuesit dhe aktivistët.