Partia Demokratike ka publikuar draftin e saj për Reformën Administrativo-Territoriale, duke propozuar që Shqipëria të organizohet në 100 bashki dhe 6 rajone.
Drafti u është shpërndarë deputetëve demokratë nga bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Luciano Boçi, i cili bëri me dije se lista është miratuar nga kryetari i PD-së dhe kryetari i grupit parlamentar.
“Të nderuar deputetë, me miratimin e Kryetarit të PD-së dhe të Kryetarit të Grupit, ju përcjell listën e bashkive (100) të paraqitur në raport nga ekspertët tanë. Secili mund të bëjë më pas prononcimin e vet. Faleminderit!”, thuhet në mesazhin e Boçit drejtuar deputetëve.
Propozimi i demokratëve vjen pasi Partia Socialiste depozitoi në Kuvend draftin e saj, i cili parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, duke ruajtur 12 qarqet dhe duke krijuar 71 qytete me status të veçantë.
Në listën e propozuar nga PD përfshihen bashki në të gjitha qarqet e vendit, mes tyre Tirana, Vlora, Durrësi, Elbasani, Korça, Shkodra, Fieri, Gjirokastra, Saranda, Himara, Lezha, Kamza, Kavaja, Berati dhe dhjetëra njësi të tjera vendore.

Drafti i PD-së pritet të jetë pjesë e debatit në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, ku do të shqyrtohen alternativat për organizimin e ri të pushtetit vendor.




