Policia e Sarandës ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale, duke arrestuar pesë persona gjatë operacionit të koduar "Silenciatori".
Sipas njoftimit zyrtar, falë informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe ndërhyrjes së menjëhershme të efektivëve, u bë e mundur kapja në flagrancë e dy personave, të cilët ndodheshin në fshatin Gjashtë, pranë një lokali, në një zonë pa ndriçim, ku kishin nxjerrë armët e zjarrit nga automjeti.
Në pranga ranë S. M., 32 vjeç, banues në Tiranë dhe A. K., 26 vjeç, banues në Kavajë. Gjatë kontrollit, policia u sekuestroi dy pistoleta, municion luftarak, një silenciator, si dhe dy automjete.
Po gjatë operacionit u arrestuan edhe V. H., 20 vjeç, V. P., 31 vjeç dhe F. B., 21 vjeç, të akuzuar për veprën penale "Moskallëzimi i krimit".
Sipas hetimeve paraprake, pesë të arrestuarit dyshohet se kishin mbërritur në Sarandë me qëllim kryerjen e një vrasjeje, ndërsa ndërhyrja e Policisë ka bërë të mundur parandalimin e ngjarjes.
Nën drejtimin e Prokurorisë, hetimet vijojnë për të identifikuar objektivin e synuar dhe për të dokumentuar plotësisht aktivitetin kriminal të grupit.




