Pasi qeveria nisi procedurat për zgjidhjen e kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, ka reaguar biznesmeni Behgjet Pacolli, i cili paralajmëron se çështja do të dërgohet në arbitrazh ndërkombëtar.
Në reagimin e tij, Pacolli akuzon institucionet shqiptare se fillimisht penguan përfundimin e projektit dhe më pas përdorën pikërisht këto vonesa si argument për anulimin e kontratës. Ai pretendon se, edhe pse Gjykata e Lartë i riktheu kompanisë MABCO të drejtën e administrimit të aeroportit, investitorit iu pengua hyrja në kantier për muaj me radhë.
Sipas tij, kompania ka investuar mbi 320 milionë euro në projekt dhe ndodhej pranë fazës së certifikimit të aeroportit, ndërsa bllokimi i punimeve, sipas Pacollit, ka ardhur si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve shtetërore.
Biznesmeni shprehet se një arbitrazh ndërkombëtar tashmë është i pashmangshëm dhe paralajmëron se pasojat financiare mund të bien mbi taksapaguesit shqiptarë.
"Nuk kam dëshiruar kurrë që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë faturën e neglizhencës dhe vendimeve të paligjshme të zyrtarëve," deklaron Pacolli, duke shtuar se MABCO do të mbrojë të drejtat e saj me të gjitha mjetet juridike të parashikuara nga kontrata dhe e drejta ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, Ministria e Infrastrukturës ka nisur procedurat për anulimin e kontratës, duke argumentuar se nuk janë respektuar afatet e përfundimit të punimeve, ndërsa mosmarrëveshjet mes kompanive koncesionare çuan në bllokimin e projektit. Deri më tani, kompania 2A Group nuk ka reaguar publikisht lidhur me zhvillimet e fundit.





