Policia e Kavajës ka vijuar kontrollet përgjatë vijës bregdetare në kuadër të plan-operacionit "Plazhi i lirë", duke liruar hapësira publike të zëna në mënyrë të paligjshme në plazhin e Golemit.

Gjatë aksionit, shërbimet e Policisë hoqën dhe sekuestruan 116 çadra dhe 232 shezlongë, të cilët ishin vendosur pa autorizimin përkatës në hapësira publike.

Në vijim të veprimeve, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj tre shtetasve, të identifikuar me inicialet A. B., 54 vjeç, D. K., 38 vjeç dhe F. D., 24 vjeç, të tre banues në Kavajë.

Sipas Policisë, kontrollet do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare me qëllim garantimin e aksesit të lirë të pushuesve në hapësirat publike dhe verifikimin e aktiviteteve që ushtrojnë subjektet gjatë sezonit turistik.

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve dhe operatorëve privatë të respektojnë hapësirat publike dhe të mos i zënë ato në kundërshtim me ligjin, duke paralajmëruar se çdo shkelje do të shoqërohet me masa administrative dhe procedime penale.