Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë Preng Gjoka, 71 vjeç, i cili mbeti i plagosur rëndë në një aksident rrugor të ndodhur më 4 korrik në aksin Lezhë–Milot.

Aksidenti ndodhi pranë kryqëzimit të Rriles, ku i moshuari, teksa lëvizte me biçikletë, u përplas nga një automjet tip "Benz" me targa të Kosovës.

Si pasojë e përplasjes, 71-vjeçari pësoi dëmtime të rënda. Fillimisht ai u transportua në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku mori ndihmën e parë mjekësore, ndërsa më pas u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, Preng Gjoka nuk arriti t'u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë pas disa javësh në spital.

Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit u shoqërua dhe u ndalua nga Policia. Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore.