Ka nisur këtë të martë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) procesi gjyqësor ndaj Laert Haxhiut.

Sipas gazetares Anila Hoxha, i pandehuri i ka paraqitur gjykatës një deklaratë me shkrim, përmes së cilës bën me dije se nuk dëshiron të marrë pjesë në seancat gjyqësore.

Megjithatë, Haxhiu ka pranuar të përfaqësohet nga avokatët e tij mbrojtës, Detar Hysi dhe Dritan Jahaj, të cilët do të ndjekin procesin në emër të tij.

Gjykata bëri të ditur se çështja ndodhet në fazën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve. Në seancën e kësaj të marte janë paraqitur gjithsej 12 dëshmitarë, të cilët pritet të japin dëshmitë e tyre në kuadër të shqyrtimit gjyqësor.

Procesi do të vijojë me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë të thirrur nga gjykata.