Aktori dhe regjisori i njohur Mevlan Shanaj ka reaguar përmes një shkrimi publik, ku shpreh shqetësimin për atë që e cilëson mungesë të zërit të artistëve dhe intelektualëve në debatet që lidhen me artin, kulturën dhe zhvillimet shoqërore në vend.
Në reagimin e tij, Shanaj ndalet fillimisht te mungesa e mbështetjes dhe vlerësimit mes vetë artistëve, duke theksuar se edhe një urim apo një opinion i shkurtër për punën e kolegëve është bërë gjithnjë e më i rrallë.
Sipas tij, edhe kur diskutohen tema të rëndësishme publike apo çështje që lidhen me funksionimin e administratës shtetërore, zëri i intelektualëve dëgjohet rrallë ose shoqërohet më shumë nga qëndrime militante sesa nga analiza të pavarura.
Shanaj shpreh shqetësim edhe për mungesën e kritikës profesionale në fushën e artit dhe kulturës, duke argumentuar se debati publik ka humbur peshën e tij dhe se kritika shpesh ka ndjekur qëndrimet zyrtare në vend që të shërbejë si nxitëse e zhvillimit.
"Publiku, në çdo kohë, ka qenë më i avancuar në kërkesat e tij shpirtërore sesa qëndrimet zyrtare. Megjithatë, kritika profesionale ka munguar ose ka zgjedhur të ecë në harmoni me mendimin zyrtar", shkruan ai.
Sipas Shanajt, ky konformizëm ka ndikuar në krijimin e një klime plogështie, ku prioritet është ruajtja e qetësisë institucionale, edhe në rastet kur vendimmarrja nuk përputhet me interesin publik apo me zhvillimet bashkëkohore.
Në fund të reagimit të tij, regjisori ngre pyetjen se përse edhe ata që janë të vetëdijshëm për këto probleme zgjedhin të heshtin, duke u bërë thirrje artistëve dhe intelektualëve të shprehin lirshëm mendimet e tyre.
"Heshtja nuk është gjithmonë shenjë urtësie. Shpesh ajo bëhet bashkëfajtore me atë që nuk guxojmë ta kundërshtojmë", përfundon Shanaj në shkrimin e tij, i cili është pjesë e librit në proces "Nuk është vonë të tregosh".





