Shqipëria ka regjistruar mbi 14.6 milionë tentativa për sulme kibernetike vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ose mesatarisht 56 sulme në minutë, sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK).

Nga janari deri në qershor janë evidentuar 14,628,595 tentativa sulmesh ndaj infrastrukturave të informacionit, ku 54% kanë pasur në shënjestër infrastrukturat e rëndësishme të informacionit, ndërsa 46% infrastrukturat kritike.

Sipas AKSK-së, objektivat kryesore të këtyre sulmeve kanë qenë sektori financiar, administrata publike, infrastruktura digjitale, sistemi energjetik dhe sektorë të tjerë me rëndësi strategjike për vendin.

Autoriteti bën me dije se monitorimi i kërcënimeve kibernetike vijon pa ndërprerje, ndërsa po merren masa për forcimin e mbrojtjes dhe rritjen e qëndrueshmërisë së sistemeve kritike.

Vetëm pak muaj më parë, Posta Shqiptare dhe Kuvendi i Shqipërisë u goditën nga sulme kibernetike, të cilat shkaktuan edhe humbjen e një pjese të të dhënave në llogaritë e administratës.

Përgjegjësinë për këto sulme e mori grupi Homeland Justice, i cili, sipas analizave të publikuara më herët nga Microsoft, lidhet me aktorë të mbështetur nga qeveria iraniane. Pas sulmeve të vitit 2022 ndaj infrastrukturës shtetërore, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin.