Drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho, ka deklaruar se autoritetet shqiptare kishin informacion prej javësh për vendndodhjen e biznesmenit Ermal Beqiraj, duke theksuar se arrestimi i tij në Francë nuk ka qenë një veprim i rastësishëm.

Në një bashkëbisedim informal me gazetarët, Braho tha se grupi hetimor kishte qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet franceze përpara arrestimit.

“Prokuroria në çdo rast merr vendimin e gjykatës dhe ia përcjell organit që ka detyrën e ekzekutimit. Nuk ka qenë veprim i rastësishëm. Grupi hetimor prej disa javësh ka qenë në kontakt me autoritetet franceze. Ka pasur informacion. Ai ka qenë i lokalizuar prej disa javësh. Nuk ka qenë qëllimi vetëm tek arrestimi, por edhe tek veprime të tjera hetimore. Në ditët në vijim do të keni informacion zyrtar”, u shpreh Braho.

Kreu i SPAK bëri të ditur gjithashtu se Prokuroria e Posaçme do të kërkojë sekuestrimin e pasurive të Beqirajt.

“Do të keni një njoftim. Ne kemi kërkuar të sekuestrohen jo vetëm avionët, por edhe pasuri të tjera”, deklaroi ai.

Ndërkohë, drejtësia shqiptare ka nisur zyrtarisht procedurat për ekstradimin e Ermal Beqirajt, i cili u arrestua në Francë dhe ndodhet në paraburgim. Të mërkurën ai doli para Gjykatës Penale të Amiens, ku iu komunikua zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar në kuadër të procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë.

Sipas procedurës, brenda 40 ditëve autoritetet shqiptare duhet t'u dërgojnë homologëve francezë dokumentacionin për ekstradim. Nëse Beqiraj pranon ekstradimin, transferimi në Shqipëri mund të realizohet brenda pak ditësh; në të kundërt, procedura do të zgjasë më shumë.

Biznesmeni u ndalua fillimisht pasi fluturoi me një avion të lehtë në lartësi të ulët mbi centralin bërthamor të Penly në Francë. Pas shoqërimit në polici dhe vendosjes së një gjobe prej 7 mijë eurosh, ai u la i lirë, por u mbajt nën vëzhgim. Më pas, pasi autoritetet franceze konstatuan se ishte shpallur në kërkim nga Shqipëria, ai u arrestua sërish në banesën e tij.

Ermal Beqiraj është shpallur në kërkim nga SPAK që prej 21 dhjetorit 2025, në kuadër të hetimeve për tenderët e AKSHI-t. Sipas organit të akuzës, dyshimet lidhen me aktivitetin e kompanisë së tij "Soft & Solution".