Edhe pse tregu i punës në Shqipëri ka shënuar përmirësim gjatë vitit 2025, mijëra të diplomuar vijojnë të mbeten pa punë, me të rinjtë që përbëjnë grupin më të prekur.
Sipas raportit "Tregu i Punës 2025" të publikuar nga INSTAT, në vend rezultojnë 17,800 persona me arsim të lartë të papunë, të cilët janë aktivisht në kërkim të një vendi pune.
Të dhënat tregojnë se 5,370 prej tyre i përkasin grupmoshës 15-24 vjeç, ndërsa 4,323 janë të moshës 25-29 vjeç. Në total, 9,693 të diplomuar, ose rreth 55% e të gjithë të papunëve me arsim universitar, janë nën moshën 30 vjeç.
Në të gjithë vendin, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 107,548 persona të papunë. Prej tyre, 45,764 kanë arsim të mesëm, 43,984 kanë përfunduar arsimin 8/9-vjeçar, ndërsa 17,800 kanë diplomë universitare. Kjo do të thotë se personat me arsim të lartë përbëjnë rreth 16.5% të të gjithë të papunëve në Shqipëri.

Raporti evidenton se sfida kryesore mbetet kalimi i të rinjve nga universiteti drejt tregut të punës. Sipas analizës, një nga arsyet lidhet me mospërputhjen mes programeve të studimit dhe nevojave reale të ekonomisë, e cila vijon të krijojë më shumë vende pune në sektorë si turizmi, shërbimet, ndërtimi dhe tregtia.
Një tjetër faktor është mungesa e përvojës profesionale. Shumë të rinj hyjnë në tregun e punës vetëm me diplomë, por pa aftësitë praktike, teknike, digjitale apo gjuhësore që kërkojnë punëdhënësit.
Raporti përmend gjithashtu se një pjesë e të diplomuarve kanë pritshmëri më të larta për pagën dhe pozicionin e punës, duke refuzuar oferta që nuk përputhen me profesionin ose që ofrojnë paga të ulëta, çka zgjat periudhën e papunësisë.
Sipas analizës së publikuar, forcimi i praktikave profesionale, orientimit në karrierë dhe bashkëpunimit mes universiteteve dhe biznesit mbetet një nga sfidat kryesore për të lehtësuar integrimin e të rinjve në tregun e punës.





