Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka denoncuar mënyrën se si është projektuar terminali i autobusëve në Sarandë, duke e cilësuar atë një shembull të dështimit në planifikimin e infrastrukturës urbane.

Përmes një reagimi publik, Zhupa shprehet se autobuset dhe mjetet e transportit detyrohen çdo ditë të përshkojnë rreth 1.5 kilometra shtesë deri te rrethrrotullimi në hyrje të qytetit, vetëm për t'u kthyer më pas në drejtimin e destinacionit të tyre.

Sipas saj, problemi nuk qëndron vetëm te terminali, por edhe te rrethrrotullimi, i cili, sipas deputetes, është ndërtuar në mënyrë jofunksionale dhe krijon vështirësi për qarkullimin e mjeteve të mëdha.

"Kjo është rutina e përditshme e autobusëve dhe mjeteve të transportit në Sarandë. Terminali i projektuar keq i detyron të bëjnë këtë rrethrrotullim çdo ditë. Në vend që të marrin drejtimin e destinacionit të tyre, ato detyrohen të përshkojnë rreth 1.5 kilometra deri te rrethrrotullimi në hyrje të qytetit, vetëm për t'u rikthyer në drejtimin e duhur", shprehet Zhupa.

Deputetja akuzon Bashkinë e Sarandës se projekti është realizuar pa studime të mirëfillta nga ekspertë të sigurisë rrugore dhe urbanistikës, duke pretenduar se zgjidhjet janë improvizuar edhe pas përfundimit të ndërtimit.

Sipas saj, mënyra aktuale e organizimit të qarkullimit bllokon lëvizjen e mjeteve të mëdha, rrit trafikun dhe shkakton humbje kohe për qindra udhëtarë çdo ditë, si dhe shton ndotjen në hyrje të qytetit.

"Kjo është pasoja kur infrastruktura nuk projektohet nga ekspertë të sigurisë rrugore dhe urbanistikës, por me vendime absurde bashkiake, pa vizion dhe pa studime profesionale. Saranda ka nevojë për një infrastrukturë moderne dhe funksionale, jo për projekte të menduara keq që u kushtojnë çdo ditë qytetarëve, bizneseve dhe turistëve", përfundon reagimi i deputetes.