Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka paralajmëruar se autoritetet do të veprojnë me forcën e ligjit ndaj personave që ushtrojnë dhunë gjatë protestave, duke theksuar se askush nuk mund të sulmojë policinë apo institucionet shtetërore.
I ftuar në emisionin “Off the Record” me gazetarin Andrea Danglli, Gonxhja u shpreh se protestuesit që kundërshtojnë me dhunë efektivët e Policisë së Shtetit do të shoqërohen dhe do të procedohen sipas ligjit.
“Në rast se guxon të ngresh dorë, t’u kundërvihesh punonjësve të policisë, do të të marrin për veshësh, a për leckash, do të të fusin në furgon dhe do të procedojnë. Më pas mund të lirohesh ose të procedohesh, nëse ke kryer vepra penale”, deklaroi ministri.
Sipas Gonxhës, kjo qasje synon të vendosë një standard të qartë se dhuna ndaj institucioneve nuk do të tolerohet.
“Kjo gjë do të bëhet e qartë për të gjithë njerëzit. Nuk mund të vazhdohet më kështu, nuk mund të përdhosen institucionet në këtë formë. Askush nuk ka të drejtë të vendosë me vetëgjyqësi, si në mesjetë, fajin apo dënimin”, u shpreh ai.
Ministri shtoi se çdo rast do të trajtohet në përputhje me ligjin, ndërsa përgjegjësia për vlerësimin e veprave penale u takon institucioneve të drejtësisë.




