Procesi gjyqësor ndaj Laert Haxhiut vijoi këtë të martë në Gjykatën e Posaçme, ku dëshmoi Xhuliano Xhaferraj, vëllai i Fridman Xhaferrajt, për vrasjen e të cilit akuzohet Haxhiu.
Gjatë dëshmisë së tij, Xhuliano Xhaferraj deklaroi se në kohën kur ndodhi krimi ndodhej në burg dhe se lajmin për vrasjen e të vëllait e mësoi vetëm pasi u lirua.
"Kur më kanë vrarë vëllain kam qenë në burg. Kur jam liruar kishte tre ditë që ishte vrarë. E kishin identifikuar viktimën, por nuk ishin të sigurt. Më morën në pyetje, verifikuan që isha në burg dhe pas disa orësh mësova se ishte vëllai im", dëshmoi ai.
Sipas dëshmitarit, pas lirimit shkoi në banesë, ku gjeti forcat e policisë duke kryer kontrolle, ndërsa më pas u shoqërua në komisariat. Ai shtoi se rreth 20 ditë para vrasjes, Fridman Xhaferraj i kishte thënë se kishte ndërmend të udhëtonte drejt Italisë, pa i dhënë detaje të tjera.
Xhuliano Xhaferraj foli edhe për lëvizjet e vëllait tjetër, Aleksandrit, duke deklaruar se ai kishte qenë në Greqi dhe ishte ndihmuar nga disa persona për t'u larguar.
I pyetur nëse kishte dijeni për autorët e vrasjes së Fridman Xhaferrajt, dëshmitari u shpreh se nuk e di kush e ka kryer krimin.
Ai deklaroi gjithashtu se rreth një muaj pas ngjarjes kishte biseduar me Qamil Haxhiun, babanë e Laert Haxhiut, i cili, sipas dëshmisë së tij, i kishte mohuar çdo përfshirje të djalit në vrasje.
"Babai i Laertit më tha se djali i tij nuk kishte dorë dhe nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen. E pyeta për çfarë flitej, që Laerti kishte dhënë urdhër për vrasjen, por ai më tha se nuk kishte lidhje", deklaroi Xhuliano Xhaferraj në sallën e gjyqit.
Procesi ndaj Laert Haxhiut vijon në fazën e administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve.





