Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtor ish-oficerin e Antiterrorit, Igli Haxhiaj, duke e dënuar me 4 vite burg.

Për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i tij u ul në 2 vite e 8 muaj burg. Gjykata vendosi gjithashtu t'i heqë të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.

Haxhiaj, i arrestuar nga SPAK në nëntor të vitit 2025, u shpall fajtor për veprat penale të "Shpërdorimit të detyrës", "Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete" dhe "Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë".

Sipas vendimit të GJKKO-së, ai u dënua me 2 vite burg për zbulimin e të dhënave sekrete, 3 vite e 6 muaj burg për korrupsion pasiv dhe 2 vite e 6 muaj burg për shpërdorim detyre. Pas bashkimit të dënimeve, gjykata caktoi një dënim të vetëm prej 4 vitesh, i reduktuar në 2 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Gjykata urdhëroi që vuajtja e dënimit të llogaritet nga 27 nëntori 2025, data e ndalimit të tij, dhe të kryhet në një institucion të sigurisë së zakonshme. Haxhiaj do të mbulojë gjithashtu shpenzimet e hetimit dhe të procesit gjyqësor.

Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditëve nga marrja dijeni e vendimit të arsyetuar.

Sipas SPAK, hetimet ndaj Haxhiajt përfunduan në maj të këtij viti. Prokuroria pretendon se ai ishte i përfshirë në aktivitetin e një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës, të drejtuar nga Elvis Doçi, i njohur si Visi i Pojës. Sipas organit të akuzës, komunikime të siguruara nga platforma SkyECC e implikojnë ish-oficerin në këtë aktivitet të dyshuar kriminal.